PARTNERET
Civil Rights Defenders (CRD)
Civil Rights Defenders është një organizatë ndërkombëtare, eksperte në fushën e të drejtave të njeriut, e cila mbështet mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe organizata të shoqërisë civile në disa nga rajonet më të shtypura të botës, në katër kontinente. Nëpërmjet advokimit, litigimit gjyqësor dhe fushatave publike, CRD punon për avancimin e të drejtave të njeriut në rang global. Organizata ka punuar me në Ballkanin Perëndimor që nga viti 1995 dhe qëllimi i saj i përgjithshëm është të përmirësojë aksesin në drejtësi përmes respektimit më të madh të të drejtave civile dhe politike. Civil Rights Defenders ka praninë e saj në Shqipëri prej vitit 2013 dhe fokusi kryesor i programit kombëtar është në fushat e mëposhtme: Sundimi i ligjit, aksesi në drejtësi, liria e shprehjes dhe medias dhe anti-diskriminimi.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)
Komiteti Shqiptar i Helsinkit është organizata e parë jofitimprurëse e themeluar në Shqipëri në dhjetor 1990. KShH mbetet një nga organizatat më të spikatura për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke synuar rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës, pjesëmarrjen e publikut dhe angazhimin qytetar në proceset vendimmarrëse të autoriteteve publike, duke i dhënë përparësi fushave të tilla si arsimi, shëndetësia, strehimi, shërbimet sociale dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve në përgjithësi, etj.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)
Instituti i Studimeve Politike është një organizatë jo fitimprurëse e krijuar në vitin 2006. Që në fillimet e tij, ISP u fokusua në monitorimin e proçeseve demokratike dhe të institucioneve kushtetuese e të pavarura në Shqipëri, në çështjet e përfaqësimit politik, të standardeve zgjedhore, të integrimit dhe të problematikave ndërshqiptare. Prej disa vitesh ISP është fokusuar në veçanti në monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë, të partive politike, proceseve zgjedhore, negociatave drejt BE dhe reformave të rëndësishme, siç janë reforma territoriale, programet e transparencës me të drejtën e informimit dhe reforma në drejtësi.