RAPORTE MONITORIMI

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit të tij dhe kryerjes së monitorimit të zgjedhjeve Parlamentare të 25 prillit 2021, është angazhuar në vëzhgimin dhe monitorimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organeve përbërëse. Më poshtë parashtrohet përmbledhja e monitorimit të kryer gjatë periudhës janar 2021.

RAPORT MUJOR I MONITORIMIT TË AKTIVITETIT TË KQZ

Janar 2021

Autor: Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Përmbledhje Ekzekutive

  1. KQZ ka miratuar programin e edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 Prill 2021. KShH vlerëson se ky proces duhet të kishte nisur zbatimin më herët, për shkak të rëndësisë së ndërgjegjësimit në kohë të zgjedhësve mbi kontrollin e listave të zgjedhësve dhe të dhënave të tyre. Vërehet se KQZ ka përfshirë një bashkësi mjaft shteruese të kanaleve të komunikimit, si edhe ka përcaktuar qartazi qëllimet e informimit dhe strukturën e fushatës së informimit. Vërehet se strategjia e edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve nuk përfshin në mënyrë të saktë dhe të plotë treguesit cilësorë apo sasiorë të vlerësimit të efektivitetit dhe performancës së programit edukativ;
  2. Për sa i përket emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, partia më e madhe e shumicës ka propozuar 91 gra dhe 139 burra, pra respektivisht 39.56% dhe 60.44%. Ndërsa partia më e madhe e opozitës ka propozuar 69 gra dhe 161 burra, respektivisht 30% dhe 70%. Vërehet se të dyja partitë janë në përputhje të dispozitës ligjore që kërkon 30% të anëtarëve të propozuar të jenë nga secila gjini. Ama, duke patur parasysh që dispozita ligjore vendos vetëm një dysheme të përfaqësimit të barabartë gjinor në 30%, subjektet politike duhen nxitur për të garantuar një barazi gjinore më të qënësishme në procesin zgjedhor;
  3. Në vlerësimin e KShH-së dhe nisur nga përvojat e mëparshme të procesit zgjedhor, gjykohet se do ishte dobiprurës zhvillimi nga ana e KQZ-së i trajnimeve paraprake për anëtarët e KZAZ-ve për të përforcuar njohjen e tyre të dispozitave të Kodit Zgjedhor, organizimin e veprimtarisë së KZAZ-ve dhe administrimin e procesit zgjedhor. Kodi Zgjedhor, në nenin 14, ngarkon Nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve me trajnimin e zyrtarëve zgjedhorë.

RAPORT MUJOR I MONITORIMIT TË AKTIVITETIT TË KQZ

Shkurt 2021

Autor: Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Përmbledhje Ekzekutive

Në fokus të monitorimit të KShH-së përgjatë muajit shkurt kanë qenë disa vendimmarrje të rëndësishme të KQZ-së, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek aktet me karakter normative, disa nga sanksionet e vendosura nga KQZ si dhe administrimi i procesit parazgjedhor për votën e emigrantëve.

  1. Në datë 30.01.2021, Komisioni Rregullator ka miratuar Vendimin nr. 2 për “Miratimin e metodologjisë së monitorimit të medias audio dhe audiovizive”. KShH vëren se në kuadër të kushteve dhe rrethanave të pazakonta në të cilat po zhvillohet procesi zgjedhor për shkak të kufizimeve dhe ri-organizimit të formave të ndërveprimit si pasojë e pandemisë globale Covid-19, nevojitet interpretim i saktë i fushëveprimit të vëzhgimit mediatik nga ana e KQZsë në mënyrë që të ketë vëmendje dhe ndaj përmbajtjes së mediave alternative, përfshirë platformat e mediave sociale. Media sociale, sa vjen dhe po përdoret në masë të gjerë nga përfaqësues të subjekteve zgjedhore për promovimin e veprimtarive të natyrës propagandistike zgjedhore, video, takime dhe foto me elektoratin, etj. De facto, fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (një muaj para datës së zgjedhjeve). Në këtë kuptim, interpretimi i ngushtë se çfarë do të konsiderohet media dhe përjashtimi i medias sociale nga ky fushëveprim, cenon garën e ndershme dhe të barabartë si dhe integritetin e e procesit zgjedhor.
  2. Në datë 02.02.2021, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi Udhëzimin nr. 1 për “Caktimin e kritereve për përzgjedhjen e monituruesve, procedurën, emërimin dhe objektin e monitorimit”. Monitoruesit e fushatës zgjedhore duhet të ishin emëruar 6 muaj para datës së zgjedhjeve, përkatësisht në dt.25 Tetor të vitit të kaluar, por ngritja e KQZ-së së re në fillim të këtij muaji, pamundësoi respektimin e këtij afati ligjor. Megjithatë, miratimi i këtij udhëzimi mund të ishte menaxhuar më herët në kohë nga KQZ. KShH rekomandon të procedohet me ritme më të përshtatshme për të finalizuar procesin e përzgjedhjes së vëzhguesve me qëllim zhvillimin e monitorimit përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, i cili, sipas akteve të publikuara në faqen e KQZ-së, rezulton të ketë përfunduar në mënyrë të pjesshme vetëm për qarkun e Tiranës dhe të Gjirokastrës, deri në fund të muajit Shkurt të këtij viti.
  3. Në përputhje me përcaktimet dhe afatet kohore e parashikuara në nenin 64 të Kodit Zgjedhor, Komisionerit Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesat përkatëse dhe ka regjistruar si subjekte zgjedhore për Zgjedhjet për Kuvend të datës 25 Prill 2021, 46 parti politike. Gjithashtu, ka miratuar ngritjen e 8 komiteteve nismëtare për paraqitjen e kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore të Qarkut Shkodër, Berat, Tiranë, Dibër, Lezhë dhe Gjirokastër.
  1. Realizimi i votimit për shtetasit Shqiptar që kanë vendbanim të përhershëm jashtë rezulton një proces i vështirë dhe delikat. Paavarësisht se u prezantua si risi në Kodin Zgjedhor në kuadër të reformës zgjedhore që u miratua vitin e kaluar, ushtrimi i të drejtës së votës nga jashtë për diasporën shqiptare nuk është rregulluar në mënyrë të plotë dhe të qartë në dispozitat e reja të këitj Kodi, çka e bën të vështirë zbatimin e saj në praktikë nga KQZ, e cila nuk mund të marrë tagrat e pushtetit legjislativ. Problematikë tjetër është dhe mos evidentimi në Regjistrin e Gjendjes Civile të adresave të vendbanimit të përhershëm të shtetasve shqiptar jashtë vendit, një kriter thelbësor për të mundësuar realizimin e ushtrimit të së drejtës së votës sipas Kodit Zgjedhor. Megjithatë, KShH inkurajon KQZ-në që të marrë masat e nevojshme, bazuar në Kodin Zgjedhor, për të jetësuar, për aq sa është e mundur, këtë proces në praktikë.
  2. KShH vlerëson se platformat informuese apo mediatike të rrjeteve sociale nuk duhet të qëndrojnë jashtë vëmëndjes së KQZ-së, për qëllim të monitorimit të sjelljes dhe veprimtarisë së institucioneve shtetërore dhe titullarëve të tyre. Përfshirja e medias sociale në përkufizimin e gjërë të medias mbështetet dhe nga raporti përfundimtar i misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2017, në të cilin vëren se televizioni (TV) është burimi kryesor i informacionit politik, ndërsa portalet online dhe media sociale po e zëvendësojnë me shpejtësi median e shkruar. Vlerësohet se institucionet dhe organet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duhet t’i përgjigjen përshtatshmërisht rrethanave dhe realitetit në të cilin zhvillohen ky proces, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe rekomandimet e marra nga OSBE/ODIHR, i cili në vëzhgimin e zgjedhjeve të fundit për Kuvend ka përfshirë median sociale në fushëveprimin e vëzhgimit të medias.

RAPORT MUJOR I MONITORIMIT TË AKTIVITETIT TË KQZ

Mars 2021

Autor: Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Përmbledhje Ekzekutive

  1. Me vendimin nr. 11 datë 25.03.2021 “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Qendrën e Votimit”, KQZ ka parashikuar zbatimin e disa detyrimeve nga administrata dhe subjektet zgjedhore përpara hyrjes në fuqi të aktit në të cilin përcaktohen këto detyrime.
  2. Për shkak se pandemia Covid-19 ka vështirësuar monitorimin në terren të procesit zgjedhor, konsultimi i akteve nëpërmjet publikimit në kohë në faqen zyrtare të KQZ-së ndihmon vëzhgimin e procesit zgjedhor nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare dhe shërben për të garantuar transparencën e zhvillimit të procesit zgjedhor.
  3. Ndërtimi, konsolidimi dhe aksesimi i një rrjeti të personave të trajnuar mbi legjislacionin zgjedhor shërben për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme emergjente për zëvëndësimin e anëtarëve të KQV-ve, sidomos në prag të datës së zgjedhjeve ku hapësira për të vepruar mund të jetë e kufizuar. Trajnimi më i hershëm në kohë i punonjësve të administratës zgjedhore bëhet më i nevojshëm për shkak të zbatimit të teknologjisë së informacionit dhe sistemit të video-regjistrimit dhe përgatitjes së anëtarëve të KQV-ve për zbatimin e rregullave për administrimin e pajisjeve teknologjike.
  4. Vendimmarrje të caktuara në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, të cilat reflektojnë një ndarje të ngushtë midis anëtarëve (3 me 2), përbëjnë një tregues potencial se këto vendimmarrje mund të jenë marrë nën ndikimin e faktorëve politikë. OSBE/ODIHR vëren në raportet e mëparshme të monitorimit të zgjedhjeve se vendimarrja e ngushtë sipas linjave politike shfaq natyrën e politizuar të diskutimeve të KQZ-së (sipas strukturës së mëparshme të organit). Gjithashtu, OSBE/ODIHR vëren se politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet ulin besimin e publikut në procesin zgjedhor.
  5. Nga hulumtimi i kryer në listat shumemërore të kandidatëve për deputet, rezulton se kryetarët e 7 subjekteve zgjedhore kanë ushtruar mundësinë e kandidimit në më shumë se një zonë zgjedhore. Në mungesë të vullnetit të subjekteve zgjedhore për të vepruar në përputhje me opinionin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR për të mos kandiduar në më shumë se një zonë zgjedhore, sugjerohet të rishikohet pika 3 e nenit 67 të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të marra.
  6. Rekomandohet që KQZ të mbikqyrë zbatimin e detyrimit të Kryetarëve të Bashkive për publikimin në faqen e internetit të vendimit për përcaktimin e vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike, qoftë për rastin e Bashkisë Vorë për të cilën tashmë ka një vendimmarrje, qoftë për rastet e sinjalizuara në këtë raport (i.e. Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës).
  7. Me miratimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 148, datë 16/03/2021 “Për caktimin e Vendeve të Numërimit të Votave, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021”, vërehet se ngritja VNV-ve është administruar në përputhje me afatet ligjore të parashikuar në Kodin Zgjedhor.
  8. Është e rekomandueshme që KQZ të përshkallëzojë fushatën e saj të informimit, në mënyrë që zgjedhësit të njihen me fletën e votimit paraprakisht dhe në rast se vërehet paqartësi nga ana e zgjedhësve, të adresohen në mënyrë të përshtatshme nga KQZ-ja.